Secondary Adv

Tenderat, 13 operatorë u përjashtuan nga kontratat publike në 2025 për paraqitje të dhënash të rreme

Agjencia e Prokurimit Publik evidenton shkelje në dokumentacion dhe rrit kontrollet ndaj operatorëve ekonomikë.

Gjatë vitit 2025, Agjencia e Prokurimit Publik ka shqyrtuar në total 42 kërkesa për përjashtimin e operatorëve ekonomikë nga e drejta për të përfituar kontrata publike, ku 41 raste lidhen me procedura prokurimi dhe një rast me ankand publik.

 

Nga këto, për 20 operatorë është nisur procedimi administrativ, ndërsa 22 kërkesa janë konsideruar të paplota ose nuk kanë përmbushur kushtet ligjore për vijimin e procesit.

 

13 operatorë të përjashtuar nga kontratat publike

Pas analizës së rasteve, janë marrë vendime për përjashtimin e 13 operatorëve ekonomikë, duke u hequr atyre e drejta për të fituar kontrata publike. Një operator ka përfunduar procedimin pa një vendim përfundimtar, ndërsa pesë të tjerë janë pezulluar dhe një rast mbetet ende në shqyrtim.

 

Sipas raportit, arsyeja kryesore për përjashtim ka qenë paraqitja e dokumenteve me të dhëna të rreme ose keqinformim, që përbën shkeljen më të shpeshtë në këtë proces. Gjithashtu, tre operatorë janë rifutur në procedurë pas vendimeve të Gjykatës Administrative të Apelit.

 

Raste në shqyrtim dhe verifikime të mëtejshme

Të dhënat tregojnë se disa raste mbeten në proces shqyrtimi ose janë pezulluar për shkak të mungesës së dokumentacionit të plotë apo nevojës për verifikime të mëtejshme ligjore. Kjo tregon një qasje më të kujdesshme të institucioneve në trajtimin e rasteve të dyshuara për shkelje.

 

Tërheqjet nga kontratat nën monitorim

Agjencia ka analizuar edhe rastet kur operatorët janë tërhequr nga nënshkrimi i kontratave, një fenomen që mund të çojë në përjashtim nëse përsëritet më shumë se pesë herë. Gjatë vitit 2025, janë evidentuar 16 operatorë që janë tërhequr nga nënshkrimi i kontratave.

 

Megjithatë, asnjë prej tyre nuk ka tejkaluar pragun prej pesë tërheqjesh. Rasti më i lartë i regjistruar është ai i një operatori që është tërhequr dy herë, ndërsa pjesa tjetër vetëm një herë.

Burimi: Monitor


Më të lexuarat